(Translates from the italian only!)

sabato 5 giugno 2010

BAZILIKA PALEOKRISTIANE E MESAPLIKUT


ILIRIA Nr. 1 - 1984



Damian KOMATA


BAZILIKA PALEOKRISTIANE E MESAPLIKUT

    Në pranverën e vitit 1978 në fshatin e Mesaplikut (rrethi i Vlorës) rrëzë kodrës së Smokthinës, gjatë punimeve për ngritjen e një banese, u zbuluan gjurmë mozaiku dhe rrënoja muresh. Vendi ku dolën këto mbeturina, është një brezare e madhe që vendasit e quajnë Bregu i Kishës. Prej këndej në drejtim të jugperëndimit shtrihet fusha e Mesaplikut e cila përshkohet nga lumi i Smokthinës. Ajo është e mbrojtur dhe e rrethuar nga kodrat e Smokthinës, të Tërbaçit dhe të Markovës. Nga lindja shihet mali i Çipinit, ndërsa në anën perëndimore rreth gjysmë ore larg nga Bregu i Kishës gjendet një kodër e bukur në trajtë piramide mbi të cilën ruhen mbeturinat e kalasë ilire të Cerjes (Fig. 1).
    Gërmimet[1] e kryera në Begun e Kishës, në një sipërfaqe prej 180 m² nxorrën në dritë një bazilikë paleokristiane, muret e së cilës ishin ndërtuar me gurë dhe dyshemeja ishte shtruar me mozaikë me zbukurime të pasura.
    Arkitektura. Bazilika me përmasa 13,80 x 11,00 m, me drejtim lindje - perëndim kishte tri aniata (Fig. 2), një qëndrore me absidën nga lindja dhe dy aniata anësore. Aniata qëndrore është më e gjerë, 4,5 m, ndërsa anësoret janë: verioria 2,25 m dhe jugorja 2,5 m. Duhet thënë se dyshemeja e bazilikës është e pjerrët dhe aniata jugore ndodhet 0,25 m më poshtë se pjesa tjetër e dyshemesë. Mbeturinat e mureve të bazilikës janë të pakta. Ato ruhen në një pjesë të absidës, të  murit  të  aniatës  veriore  dhe  të  altarit,  të  zbuluar  0,75  m  nënsipërfaqe. Absida është trebrinjëshe nga ana e jashtme, dhe gjysmërrethore nga brenda, brinja ballore e saj është 2,85 m e gjatë, ato anësoret nga 1,5 m, ndërsa muri është 0,85 - 0,95 m i gjerë dhe ruan një lartësi 0,42 m.
    Në njërin krah të absidës doli në dritë muri i anës lindore të aniatës jugore. Është ruajtur në një gjatësi 1,65 m, i trashë 0,68 m dhe i lartë 0,32 m. Pjesë të tjera të ruajtura që u gjetën gjatë gërmimit ishin dy mure të hyrjes së altarit të cilat kanë qenë ngritur mbi dysheme, pothuaj në një nivel me mozaikun. Këto formojnë një kalim (gati 1 m të gjerë) për në altar. Muret e krahut të djathtë të hyrjes duke formuar një kënd të drejtë janë të gjatë 1,30 m dhe 0,45 m, të gjerë 0,36 m dhe të lartë 0,13 m. Në të dyja faqet e mureve shihen gjurmët e suvasë. Pjesë suvaje janë vërejtur edhe në pjesën e poshtme të murit që ndan aniatën jugore nga ajo qendrore.
    Për hyrjet e bazilikës nuk mund të themi asgjë përderisa muret e saj ishin të dëmtuara. Muret e bazilikës ishin ndërtuar me gurë shtufi të nxjerrë në vend, të papunuar e me përmasa mesatare e të vogla. Në mënyrën e ndërtimit është ndjekur rregulli i vendosjes së gurit pak a shumë në rreshta të drejtë. Si mjet lidhës është përdorur llaçi i fortë i bollshëm, i bërë me gëlqere e rërë të trashë. Në mbushjen në mes dy faqeve të mureve të absidës e të altarit, janë përdorur, megjithëse rrallë, edhe copa tjegullash.
    Bazilika e Mesaplikut mund të themi se përfaqëson një objekt kulti të tipit të thjeshtë me tri aniata pa narteks. Deri tani të këtij tipi njohim një bazilikë në Butrint dhe një tjetër në territorin e Greqisë[2].
    Si lëndë e parë për ndërtimin e bazilikës janë përdorur guri e llaçi dhe për mbulesë druri dhe tjegulla. Kjo dëshmohet nga mungesa e fragmenteve arkitektonike dhe gjetia në gërmimet e një numri krahasimisht të madh tjegullash të tipit solen si dhe gozhdë, që kanë shërbyer për mbërthimin e trarëve prej druri. Ndarja në mes të aniatave bëhej me shtylla prej guri të cilat mbështeteshin në bazamente prej guri. Për këtë dëshmon edhe zbulimi brenda në objekt i një bazamenti me përmasa 0,40 x 0,40 m (Fig. 3), i cili në mes ka një brimë, ku derdhej plumbi për lidhjen e shtyllës.
    Kjo teknikë ndërtimi, përgjithësisht me gurë e llaç të bollshëm, është e njohur e zbatuar në monumentet e antikitetit të vonë të vendit tonë, si në fortifikimet e në bazilikat e zbuluara në Tepe, Lin, Sarandë etj. Absida e aniatës qëndrore për nga forma gjen analogji me tipa lokalë si me ata të bazilikës së Ballshit[3] të datuara në shek. VI, ose me ato të bazilikave jashtë vendit tonë si bazilika e Bela Crkvas[4] ose bazilika të tjera që i përkasin fundit të periudhës paleokristiane[5].
    Varri. 1,5 m larg absidës në anën e brendshme, në të djathtë të saj, u gjet një varr 1,70 m i gjatë e 0,34-0,47 m i gjerë. Ai ka trajtë arke dhe është ndërtuar prej gurësh plloçakë, të vendosur vertikalisht (Fig. 2). Në anën e kokës varri kishte një pllakë me përmasa 0,30 x 0,16 x 0,09 m ndërsa në anën e këmbëve ajo mungonte. Si mbulesë janë përdorur pllaka shtufi mesatare dhe si shtrojë një pllakë 1 m e gjatë dhe disa të tjera më të vogla. Skeleti ruhej përgjithësisht mirë, i shtrirë në shpinë, me duar të kryqëzuara mbi gjoks. Ishte i gjatë 1,64 m me drejtim lindje - perëndim me kokë nga perëndimi. Pa inventar. Mënyra e hapjes së gropës dhe pikërisht fakti që niveli i mozaikut është i njëjtë me mbulesën e varrit, të bënte të mendosh se varri ka qenë ndërtuar në të njëjtën kohë me godinën. Në një fazë të dytë është vendosur mozaiku. Me sa duket i varrosuri i përkiste një personi me ofiq fetar. Raste të tilla analoge, megjithëse nga pikëpamja arkitektonike varret nuk janë të të njëjtit tip, njihen edhe nga bazilika të tjera si ajo e Linit (Pogradec)[6], e Tepes (Elbasan)[7], e Ulpianës (Kosovë)[8] ose pika të tjera më të largëta[9].
    Mozaiku. Interes të veçantë për këtë bazilikë paraqet dyshemeja me panele mozaiku. Të tri aniatat e kësaj bazilike ishin të shtruara me mozaikë shumëngjyrësh. Më mirë është ruajtur mozaiku në dy aniatat anësore, ndërsa në atë qendrore ai ishte mjaft i dëmtuar (Fig. 2).
    Për realizimin e figurave të ndryshme mjeshtri ka përdorur kubikë shumëngjyrësh, zakonisht me përmasa 1 x 1 x 1 cm, të prerë nga shkëmbinj gëlqerorë me ngjyra të ndryshme, që gjenden rrëzë malit të Çipinit. Janë përdorur edhe kubikë mozaikësh prej tulle të pjekur dhe më rrallë prej brumi qelqi. Ngjyrat më të zakonshme të mozaikut janë e bardha dhe e kaltra. Pës sfondin e figurave është zgjedhur ngjyra e bardhë përmbi të cilin vendosen kubikë ngjyrë gri të errët, okër, rozë e të kuqe tulle, si dhe nuanca të tjera si rozë vishnje, gri e çelët ose në të gjelbër dhe e kuqe e çelët.
    Struktura mbi të cilën mbështetet shtresa e mozaikëve përbëhet nga katër shtresa të vendosura njëra mbi tjetrën (Fig. 4) të cilat duke filluar nga sipër janë: 1)shtresë shumë e hollë gëlqereje (4 mm) ku nguliteshin kubikët e mozaikëve, 2) shtresë llaçi me pluhur tulle 0,03-0,035 m e trashë, ngjyrë rozë, 3)  shtresë  llaçi  0,04-0,05  m  e  trashëme shumë gëlqere e pak rërë e përzier me gurë të vegjël, 4) shtresë kalldrëmi 0,05 - 0,06 m e trashë prej pllakash guri shtufor.
    Mozaikët e secilës aniatë kanë kompozime prej motivesh të ndryshme. Anët e paneleve të dyshemesë me mozaikë ndahen nga faqja e suvatuar e mureve me një shirit 0,06-0,08 m të gjerë.
    Aniata veriore. Paneli i mozaikut të kësaj aniate me përmasa 10,30 x 2,25 m ndryshe nga aniatat e tjera fillon 0,80 m larg murit në krahun perëndimor të bazilikës (Fig. 2). Pjesa më e madhë e shtrojës është e ruajtur në gjëndje të mirë dhe përbëhet nga shtatë medaljone me figurë kryesore tetëkëndëshin. Në hapësirën e medaljonit të parë piktori ka vendosur portretin e një njeriu. Portreti i dhënë në profil djathtas, paraqet tiparet burrërore të një personi, ndoshta të njohur për atë kohë (Fig. 5).
    Ai paraqitet i pushtetshëm, me një shikim të thellë e të përqëndruar, me flokë të gjatë e të dredhur që derdhen prapa si gërshet dhe mban në kokë një kësulë gjysmësferike në qendër të së cilës del një majuc. Në pjesën e prapme të kësulës varen dy fije të një kordeleje të kuqe. Para fytyrës, me shkronja të mëdha greke të vendosura në katër rreshta, lexohet AΠAPKEAC, që ndoshta duhet lidhur me fjalën ἀπαρϰτίαϛ që do të thotë «era e veriut»[10].
    Konturet e portretit janë punuar me kubikë ngjyrë gri të errët e pjesërisht rozë, ndërsa për pjesët e tjera përdoren kubikë gri të çelët, të gjelbër të çelët, të bardhë dhe pak prej tulle. Për nga stili dhe ikonografia, portreti, siç shprehet edhe Dh. Dhamo në artikullin e saj[11], lidhet me antikitetin e vonë. Ajo shfaq edhe mendimin se kordelja e kuqe të sjell ndërmend hyjnitë pagane, perëndeshën e fitores, Niken, perandorët nëpër monedhat romake e sidomos engjëjt e pikturave mesjetare. Ne jemi të mendimit se paraqitja e kësaj figure në aniatën veriore dhe mbishkrimi duhen lidhur me një figurë të veçantë, që personifikon erën e veriut, gjë që shpiegohet edhe me besimin e vjetër popullor se të këqiat apo të mirat vijnë nga një forcë natyrore e veshur me atributet e njeriut.
    Në dy nga medaljonet e tjera, të cilat nuk ruhen në gjendje të plotë, përsëritet një figurë tip rozete (Fig. 6). Ajo përbëhet prej një rrethi qendror me diametër 0,42 m. Nga periferia e këtij rrethi dalin një tufë spiralesh të përbëra nga kubikë ngjyrë të errët, të kuqe tullë, rozë e të bardhë. Tri medaljonet e tjera që pasojnë, megjithëse mjaft të dëmtuara, përbëhen nga zbukurime gjeometrike me motivin e rrethit, të kryqit e të vijave  diellore.  Kështu  në  medaljonin  e  pestëjanë vizatuar katër rrathë që ndërthuren në mes tyre dhe në hapësirën e çdo rrethi është shënuar nga një kryq, me kubikë gri të errët (Fig. 7). Prej medaljonit të shtatë ruhet një pjesë e një figure të përbërë nga një romb, në brinjët e të cilit ndërthuret një gërshet. Brenda medaljoneve formohen figura me motive gjeometrike, pjatanca me fruta (dardha e mollë), peshq ose degëza me gjethe urthi. Konturet e mbajtësve të frutave janë bërë me kubikë ngjyrë okër, gjë që i përgjigjet ngjyrës origjinale të qeramikës, ato të frutave me ngjyrë të kuqe tulle, rozë e të gjelbër të çelët, ndërsa për peshqit dhe urthin janë përdorur kryesisht kubikë guri gri të errët, rozë dhe të kuq.
    Të shtatë medaljonet që paraqitëm më lart kufizohen në të katër anët nga një kornizë 0,53-0,55 m e gjerë ku spikatin motivi i tabelës së shahut dhe i gërshetës së dyfishtë, përbërë nga katër kordele prej vijash njëshe, dyshe apo treshe (Fig. 2, 5). Motive të tilla si urthi, kryqi, gërsheta, rozeta janë të njohura në mozaikët e dyshemeve të ndërtimeve publike të periudhës së vonë romake[12] dhe do të gjejnë përhapje të gjerë në bazilikat paleokristiane të vendit tonë[13] dhe në territore të vendeve fqinje ballkanike[14].
    Aniata qendrore. Shtroja e dyshemesë së kësaj aniate përbëhet nga dy panele katërkëndësh kënddrejtë, të cilat siç tregojnë gjurmët kanë qenë të zbukuruara, me motive gjeometrike, bimore e zoomorfe. Mozaiku i zbuluar në këtë aniatë është gjetur tepër i dëmtuar, prandaj nga pjesët e ruajtura është vështirë të rindërtohet i tërë kompozimi.
    Në panelin me mozaikë të vendosur në gjysmën perëndimore të aniatës, me përmasa 4,60 x 2,85 m, kanë qenë vizatuar 32 katrorë me përmasa 0,40 x 0,40 m. Pjesa e brendshme e këtyre katrorëve ishte mbushur me motive gjeometrike apo zoomorfe. Kështu në qoshen veriore të këtij paneli ruhet vizatimi i një rozete gati e njëllojtë me atë të aniatës veriore. Në një katror tjetër shihet figura e një shpendi (shapkë uji) trupi i të cilit është trajtuar me kubikë gri të gjelbër të çelët, ndërsa syri dhe maja e sqepit me kubikë gri të errët (Fig. 8). Figura shpendësh ndeshim në mozaikët e bazilikave të vendit tonë (Lin, Butrint, Sarandë)[15] dhe në ato të territorit të Greqisë[16].
    Gjatë gjithë gjerësisë në krahun perëndimor është ruajtur korniza që e rrethonte panelin. Pjesa e jashtme e kornizës që nis rrëzë murit është 0,16 m e gjerë dhe përbëhet prej 10 vija kubikësh ndërsa më tej ajo ndiqet nga një lloj gërshete 0,65 m e gjerë e përbërë nga një çift rrathësh të pandrërperë, të cilët duke u mpleksur njëri me tjetrin formojnë rrathë më të vegjël (Fig. 2). Më tej në pjesën e brendshme krijohet motivi i gërshetës me dy kordele. Në formimin e kësaj kornize në tërësi mjeshtri ka përdorur kubikë me ngjyrë të ndryshme por zotërojnë ngjyra rozë, okër, e gjelbër e çelët dhe e bardhë. Një gjë analoge me çift rrathësh të pandërprerë gjejmë edhe tek mozaiku i dyshemesë së baptisterit paleokristian të Butrintit[17], në bazilikat e Nikopolisit[18], e të Ohrit[19].
    Një gjë e veçantë që vihet re është se këtu gati gjysma e dyshemesë zihet nga altari. Një pjesë e mozaikut e ruajtur në dy anët e portës së altarit përbëhet nga dy katërkëndësha, të vendosur simetrikisht e me përmasa 1,55 x 1,20 m secili, të kufizuar me një kornizë 0,12 m të gjerë. Si motiv për mbushjen e këtyre katërkëndëshave është përdorur rozeta katërfletëshe (Fig. 9) e kufizuar përqark nga dy vija me kubikë të bardhë dhe fushë me kubikë të kuq.
    Pjesa tjetër e dyshemesë në anën lindore të aniatës me një gjatësi 3,80 m përbëhet prej katrorësh të mbushur me motive gjeometrike. Mbeturinat e mozaikut këtu i shohim më mirë në krahun e djathtë të aniatës. Si motive më të parapëlqyera janë rombi, figura luspash (Fig. 10, 11), hapësira e të cilave mbushet me kubikë rozë e të gjelbër të çelët, dhe gërsheti i thjeshtë i këmbyer me vija të drejta e të thyera. Motive që zotërojnë me tepër në këtë aniatë, sigurisht për aq sa na lejojnë mbeturinat e shtrojës së mozaikut, janë rozeta katërfletëshe që simbolizon kryqin, rombi, gërsheti etj., të cilat janë të njohura e të zbatuara në dyshemetë e ndërtesave të kohës së vonë romake, por gjejnë zbatim më të gjerë edhe në dyshemetë e shtruara me mozaikë të bazilikave paleokristiane (shek. V-VI e erës sonë). Ato janë ndeshur në bazilikat e zbuluara në Tepe (Elbasan)[20], në Lin (Pogradec)[21], në Herakle të Maqedonisë[22] si dhe ato të ishujve të Egjeut (Qipro, Kos etj.)[23], të datuara në fund të shek. V ose gjatë shek. VI.
    Aniata jugore. Mozaiku i kësaj aniate, i cili përgjithësisht ruhet në gjendje të mirë (Fig. 2) përfshihet në një panel kënddrejtë me përmasa 11,40 x 2,40 deri 2,50 m. Në hapësirën e panelit të kësaj aniate vijnë njëri pas tjetrit shtatë medaljone të ndara në mes tyre nga katrorë të thjeshtë. Sikurse në aniatën veriore dhe këtu spikat figura e tetëkëndëshit dhe disa motive të tjera përsëriten, por megjithatë monotonia do të thyhet nga zbatimi i disa motiveve të reja. Ndërmjet zbukurimeve që përsëriten në këtë aniatë janë vijat dyshe të përdredhura në trajtën e numrit tetë, nyja e Solomonit, por e trajtuar në tipin e svastikës, gjethet e urthit të cilat janë të shpeshta dhe gërshetat e ndërthurura në vetvete (Fig. 12). Një figurë simetrike e një shpendi, ndoshta një pëllumb, koka e të cilit është pjesërisht e dëmtuar, jepet në ecje, ndërsa mbi trup afër qafës është vizatuar një kordele e valëzuar nga era (Fig. 13). Konturet e kësaj figure janë prej kubikësh gri të errët, okër të gjelbër e të çelët, ndërsa pjesët e tjera, koka, këmbët dhe kordelja me kubik prej tulle.
    Sikurse pjesa tjetër dhe mozaiku i aniatës jugore zë fill rrëzë murit me një kornizë, gjerësia e së cilës nuk është e njëjtë në të gjitha anët. Kështu ajo në anën e murit perëndimor është 0,18 m e gjerë dhe përbëhet prej dymbëdhjetë vijash, prej të cilave tri me kubikë gri të errët, katër me kubikë okër, tri të bardhë e dy rozë. Në anën e mureve gjatësore të bazilikës korniza është 0,10 deri 0,11 m e gjerë me ngjyra gri të errët, rozë e të bardhë. Pas kësaj vjen motivi i rrethit të gërshetuar, 0,47 m i gjerë, në qendër të të cilit gjendet një romb i vogël i përshkuar nga dy vija të kryqëzuara. Përgjatë boshllëqeve që krijohen nga 24 rrathë të kornizës, në të dy anët e saj shihen trekëndësha të vegjël dhe më rrallë gjethe urthi (Fig. 2).
    Përsa u përket motiveve të kësaj aniate si pëllumbi me kordele, nyja e Solomonit, korniza e trajtuar në trajtë gërshete rrethore ose gërsheta e trajtuar në vetvete do t’i ndeshim kryesisht në mozaikët e baptisterit të Butrintit[24] dhe në bazilikat e territorit të Greqisë e të Qipros[25] në Caricin Grad (Jugosllavi)[26], etj.
    Gjetje arkeologjike. Në sipërfaqen e gërmuar u zbulua edhe një lëndë arkeologjike ku vendin kryesor e zenë fragmentet e tjegullave, por ka edhe një numër fragmentesh enësh prej balte ose qelqi si dhe copa xhami dritaresh e ndonjë objekt metalik ku mbizotërojnë gozhdët (Tab. I).
    Tjegullat janë të tipit solen, pak të përkulura, të zbukuruara me vija të valëzuara. Në fragmentet e enëve ka vorba me buzë të profiluara, të rrumbullakuara ose që zgjaten nga jashtë me fund në trajtë kërthize, buzë pjatash, vegjë dhe ndonjë faqe dinosi. Këto enë, me brumë me përmbajtje rëre të imët dhe kuarci ngjyrë piperi dhe të lyera përbrenda me një shtresë sere, i përkasin kategorisë së enëve të zjarrit dhe për ruajtjen e rezervave ushqimor. Enë me formë e fakturë të këtillë janë gjetur në disa qendra arkeologjike të vendit tonë[27], apo në vendet fqinje[28] dhe i përkasin periudhës së vonë antike.
    Një sasi e vogël fragmente enësh qelqi që u përkasin shisheve, filxhanave apo gotave (me diametër 7-9 cm) me faqe të holla, buzë pak të profiluara, funde të mysëta e vegjë elegante, gjejnë analogji me disa ekzemplarë që vijnë nga një bazilikë afër Mostarit (Jugosllavi)[29] e nga Kastelseprio (Itali)[30] dhe datohen në kohën e Justinianit. Në objektet metalike janë për t’u përmendur një rreth hekuri me trup petashuq 0,05 cm i gjerë e diametër 3,5 cm dhe 36 gozhdë me kokë të rrumbullakët (diametri 2-2,5 cm) e trup me prerje katrore me gjatësi 5-9 cm (Tab. I).

*            *

*

Përfundime

    Bazilika e Mesaplikut, mesatare për nga madhësia, tipologjikisht ngjan edhe me bazilika të tjera që përfshiheshin në atë kohë në trevat e provincave të Epirit të Vjetër e të Ri me kryeqendra përkatësisht Nikopolisin dhe Dyrrahun. Megjithatë si një bazilikë e një province të largët të perandorisë bizantine, kjo duhet parë si një objekt kulti i tipit të thjeshtë, pa narteks, i cili ka pasur disa elemente asimetrike në përmasat e aniatave.
    Bazilika e Mesaplikut e ngritur në një zonë krahasimisht të thellë malore, ka qenë e lidhur me vendbanime të tjera të zonës dhe sidomos me kalanë e Cerjes, e cila vazhdonte të përdorej si qendër e fortifikuar edhe në antikitetin e vonë[31]. Ajo duhet të ketë qenë e ndërvarur nga peshkopata më e afërt e qytetit të Amantisë, ndërkohë që mbante kontakte, nëpërmjet rrugës që ndiqte lumin e Shushicës, dhe me qytete të tjera si Onhezmi, Butrinti etj.
    Me paraqitjen dhe krahasimin që i bëmë mozaikut me ato të zbuluara në qendrat antike dhe në veçanti në bazilikat paleokristiane të vendit tonë apo dhe të tjera në vendet fqinje, ne gjejmë shumë elemente të përbashkëta dhe përngjasime në mes tyre. Realizimi dhe plotësimi i zbukurimeve apo i elementeve kompozicionale të përafërta me një varg bazilikash bashkëkohëse të shek. VI (Sarandë, Butrint, Paleopolis, Lin etj) shpjegohet nga fakti se mjeshtrit mozaicistë të kësaj kohe duke u endur në zona e qendra të ndryshme këmbenin përvojën me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër ata mbështeteshin edhe në traditën më të hershme të mozaikut të shekujve të parë të erës sonë, gjë që shihet në «huazimin» e një numri motivesh bimore e sidomos gjeometrike (trekëndëshi, tetëkëndëshi, rombi, kryqi, tabela e shahut, rozeta, urthi etj). Prania e këtyre motiveve zbukuruese në mozaikun e bazilikës sonë, të mpleksura me motive të tjera si zoomorfe e antropomorfe dhe të trajtuara në frymën e kohës, siç është p.sh. portreti i njeriut, flet për pasurinë dekorative dhe rritjen e nivelit të artit mozaik në periudhën paleokristiane.
    Shqyrtimi i skemës kompozicionale të mozaikut në tërësi, i elementeve stilistike zbukuruese në veçanti, i strukturës arkitektonike, i gjetjeve arkeologjike, megjithëse të pakta dhe së fundi disa trajta shkronjash të mbishkrimit, të çojnë në përfundimin se bazilika e Mesaplikut është ngritur aty nga gjysma e parë e shek. VI. Shkatërrimi i saj, siç tregojnë gjurmët e forta të djegies mbi dyshemenë e mozaikut, në suvanë e mureve të aniatave dhe në një numër të madh tjegullash që i përkisnin çatisë së saj duhet të ketë ardhur nga një zjarr i fuqishëm. Nuk përjashtohet mundësia që ky zjarr që rrënoi këtë bazilikë të ketë lidhje sikurse shprehet edhe Dh. Dhamo me dhunën e ushtruar nga ana e ikonoklastëve gjatë shek. VIII-IX[32].

    RESUME

LA BASILIQUE PALEOCHRETIENNE DE MESAPLIK

    A l’endroit appelé Bregu i Kishës, près du village de Mésaplik, district de Vlora, a été découverte une basilique paléochrétienne aux dimensions 13,80 x 11 m. Elle avait trois nefs et une abside (trilatérale à l’extérieur et hémicycle à l’intérieur) dans la nef centrale orientée vers l’Est (Fig. 2). La basilique n’avait pas de narthex. Près de l’abside, à l’intérieur de la basilique, a été trouvée une tombe avec un squelette et sans inventaire. La basilique était construite avec des pierres et du mortier et couverte de tuiles solennes (Tab. I).
     Les planchers des trois nefs étaient couverts de mosaïques multicolores, chacune composée de différents motifs géométriques, floréaux, zoomorphes et plus rarement anthropomorphes. Un intérêt particulier représente le premier médaillon dans la nef septentrionale, où est dessiné le portrait d’un homme aux traits virils, regards concentré, cheveux longs en tresse et un couvre-chef hémisphérique (Fig. 5). Devant la face se trouve l’inscription APARKEAS. A notre avis cette représente le vent du nord.
    Les mosaïques de cette basilique ont des analogies avec d’autres mosaïques trouvées dans les centres antiques de l’époque romaine et en particulier dans les basiliques paléochrétiennes d’Albanie ou des pays voisins, ce qui s’explique soit par le fait que les mosaïstes erraient d’une région à l’autre en échangeant l’expérience entre eux, soit par le fait qu’ils s’appuyaient sur les traditions héritées de l’époque précédente.
    L’examen du schéma de composition de la mosaïque de Mésaplik, de ses éléments décoratifs, de la structure architectonique et des trouvailles archéologiques nous amène à la conclusion que la basilique de Mésaplik devrait être construite vers la première moitié du VIe siècle et qu’elle a dû être détruite, comme en témoignent les traces, par un grand incendie.


____________
    [1]^ Gërmimet u bënë në verën e vitit 1979. Përveç nutorit mori pjesë dhe P. Kulla, bashkëpunëtor i jashtëm i QKA, të cilin e falënderoj për ndihmën e tij. Për dokumentacionin e objektit punuan skleografët I. Zaloshnja e P. Nalpi ndërsa për mirëmbajtjen dhe më vonë (viti 1980) për shkuljen krejt të dyshemesë së mozaikut, punoi një grup specialistësh nga Istituti i Monumenteve të Kulturës. Sot mozaiku ruhet në fondet e këtij Istituti dhe vetëm një pjesë e vogël (portreti i njeriut) është ekspozuar në një nga sallat e lashtësisë së Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.
    [2]^ D. Pallas, «Les Monuments paléochrétiens de Grèce découverts de 1959 à 1973», Roma 1977, f. 209, Fig. 145.
    [3]^ S. Anamali, Bazilika e Ballshit, (Raport mbi rezultatet e gërmimeve në vitin 1976). Ruhet në arkivin e QKA.
    [4]^ I. Nikolajević, Sahranjivanje u Ranohrisçanskim crkvama na Poruçju Srbie, «Arheoloski Vestnik XXIX» 1978, Lubjana, f. 683, Fig. 2.
    [5]^ T. Andelić, Kasnoanticka bazilika u Cimu kod Mostara, «Gl. Zem. Muzeja Bosne i Hercegovina u Serajevu», XXIX (1974) Serajevo 1976, f. 224; P. Krauthenier, Early Christian and Byzantine Architecture, «The Pelican History of Art», 287; I. Barnea, Nouvelles considérations sue les baziliques chrétiennes de Dobroudja, «Dacia» XI-XII, 1945-1947, Fig. 9, 10; A. Deroko - S. Radojčić, Bizantinske starine u Jablanici i Postoj Reçi, «Starinar», NS, I, Beograd 1950, f. 170, Fig. 10; D. Pallas, vep. cit., Fig. 154.
    [6]^ S. Anamali, Mozaikët e bazilikës paleokristiane të Linit, «Iliria» III, 1974, f. 329-344.
    [7]^ N. Ceka - A. Meksi, Bazilika paleokristiane në Tepe të Elbasanit, «Buletini Arkeologjik», 1971, f. 184-190.
    [8]^ I. Nikolajević, vep. cit., f. 689, Fig. 12.
    [9]^ M.I. Sotiriu, Oi meta troullou naci metavatiqis epohis, «Byzantinisch-neugrichische Jahrbücher», vëll. 10, Athina 1934, f. 269, Fig. 3; 273, 5; 276, 6; 281, 13; P.L. Vokotopoulos, Paratiriseis, stin legomeni Vasiliqi tou Ajiou Nikonos, «Praktika A Dhiethnous sinedhriou Paloponnisiakon Spoudhon», vëll. II, Athina 1976, f. 274-282.
    [10]^ Shih: I. Dhr. Stamatakou, «Leksikon tis neas Ellin, Glossis» Tom III, Athina 1949, f. 434-435; Henry G. Liddell-R. Scott, «Greek-English Lexicon Oxford», 1968, f. 180.
    [11]^ Dh. Dhamo, Vepra dhe tipare të pikturës në Shqipëri në shek. V-XV, «Studime Historike» 1, 1984, f. 146.
    [12]^ S. Anamali-S. Adhami, «Mosaïques d'Albanie» Tiranë 1974, f. 28, 36, 39; H. Kenner, Römische Mosaiken aus Osterreich, «La Mosaïque Grèco-Romaine», Paris 29 Août - 3 Septembre 1963; S. Pelekanidhi-P.I. Atzaka, «Sintagma ton palaiohristianikon dhapedhon tis Elladhos» Thessaloniqi 1974, Fig. 66 a.
    [13]^ S. Anamali-S. Adhami, vep. cit., f. 46, 48, 50; S. Hidri, Rezultatet e gërmimeve në bazilikën e Arapajt (1980-1982), «Iliria» 1983, 1, f. 135; S. Anamali, Mozaikët e bazilikës..., f. 340, Tab. III; A. Meksi, Bazilika e madhe dhe baptisteri i Butrintit, «Monumentet» 1, 1983 (25), f. 61.
    [14]^ S. Pelekanidhi-P.I. Atzaka, vep. cit., Fig. 20, 32, 41 a, 90 b, 95, 132; G.M. Zisi, Is kopavanja na Caracinom gradu 1955-1956 godine, «Starinar», NS, VII-VIII, 1956-1957, Beograd 1958, f. 320, 321, Fig. 23; E. Kitzinger, Studies on late antique and Early Byzantine floor mosaics, I. Mosaics at Nikopolis, në «Dumbarton Oaks Papers», Cambridge 1951, Fig. 32; Vera B. Grozdanova, «Monuments paléochretiens de la région d'Ohrid», Ohrid 1975, Fig. III.
    [15]^ S. Anamali, Mozaikët e bazilikës..., f. 340, Tab. III; S. Anamali - S. Adhami, vep. cit., f. 53; K. Lako, «Raport mbi gërmimet në Sarandë në vitin 1981», ruhet në arkivin e QKA.
    [16]^ S. Pelekanidhi - P.I. Atzaka, vep. cit., Fig. 30.
    [17]^ A. Meksi, vep. cit., Fig. 31, 32.
    [18]^ E. Kitzinger, vep. cit., Fig. 31, 32.
    [19]^ Vera B. Grozdanova, vep. cit., Fig. 47.
    [20]^ S. Anamali - S. Adhami, vep. cit., f. 46.
    [21]^ S. Anamali, Mozaikët e bazilikës..., f. 342, Tab. V.
    [22]^ «The mosaics of Heraclea 4th - 6th century» (album).
    [23]^ S. Pelekanidhi - P.I. Atzaka, vep. cit., f. 226, 41 c, 52 a, 96, 134.
    [24]^ A. Meksi, vep. cit., f. 57.
    [25]^ S. Pelekanidhi - P.I. Atzaka, vep. cit., f. 11, 29, 79 a, 134; E. Kitzinger, vep. cit., Fig. 32.
    [26]^ G.M. Zisi, vep. cit., f. 320, 321, Fig. 23, 24; po ai: Prolegomena iz problema kasnoantiçkog mozaika u Ilirikumu, «Zbornik Rad. Nar. Muz» II, 1958-1959, Tab. V, Fig. 8.
    [27]^ S. Anamali, Kështjella e Pogradecit, «Iliria» IX-X, 1979-1980, Tab. XVIII; A. Baçe, Kështjella e Paleokastrës, «Iliria» 1982, 1, Tab. XVII; K. Lako, Rezultatet e gërmimeve në Butrint në vitin 1975-76, «Iliria» 1981, 1, Tab. XIII, XIV.
    [28]^ T. Andelić, vep. cit., Tab. XVII.
    [29]^ T. Andelić, vep. cit., f. 260, Tab. 16, 2, 3, 7.
    [30]^ L. Philippe, «Le monde byzantin dans l’histoire de la varrerie (Ve-XV e.s.)», Bologna 1970, f. 98, Fig. 51, b, c, h.
    [31]^ D. Komata, Vështrim arkeologjik në luginën e Shushicës, «Iliria» VII-VIII, 1977-1978, f. 363-369.
    [32]^ Dh. Dhamo, vep. cit., f. 146.
__________________________________________________
Published on the Web in 2010 by dott. ing. Domenico Nociti - Usa quest’opera o parte di essa, ma ricordati di citare sempre l’autore e l’editore nelle immediate vicinanze dell’articolo o di una sua parte * * Via San Domenico n° 104 SPEZZANO ALBANESE